Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Tre personave nga Peja një muaj paraburgim për fajde

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore e Pejës ka njoftuar të hënën se ka caktuar nga një muaj masë të paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar për vepër penale të fajdesë, të kryer në bashkëkryerje.

“Gjykata Themelore në Pejë - Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve I.D, B.N dhe A.GJ, për shkak të dyshimit të bazuar se që nga viti 2015 e gjer me datë 15 gusht 2019, në Pejë, kanë kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për viktimën V.SH dhe atë duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës, duke i shkaktuar humbje financiare në shumë prej 90 mijë eurosh”, thuhet në komunikatën e kësaj gjykate, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjykata në njoftimin e saj ka sqaruar edhe si ka ardhur deri të ky borxh dhe kjo vepër e kryer.

“Kjo është krijuar në atë mënyrë që fillimisht viktima nga i pandehuri B.N, në vitin 2015, kishte huazuar të holla në shumë prej 1 mijë e 700 eurosh, si borxh me qëllim për ta dërguar vëllanë jashtë shtetit dhe për këtë shumë viktima deri me datë 15 gusht 2019 ishte detyruar të paguajë kamat në shumë prej 90 mijë eurosh, në vende dhe periudha të ndryshme kohore, këtu të pandehurve B.N, I.D dhe A.GJ, të gjithë këta në marrëdhënie familjare në mes vete”, thuhet në komunikatën e kësaj gjykate.

Mirëpo në momentin që viktima nuk kishte arritur që të pandehurve t’iu sigurojë borxhin – kamatën e fundit në shumë prej 19 mijë euro, viktima, siç njofton gjykata, nga të pandehurit ishte detyruar, që truallin të cilin iu kishin ndarë familjeve të dëshmorëve, viktima t’ia bartë blerësit të kontraktuar nga të pandehurit.

“Me datë 15 gusht 2019, kur viktima kishte për të shkuar te Noteri për bartjen e pronës, nga presioni viktima tenton të kryej vetëvrasje. Mirëpo, fatmirësisht arrijnë që ta dërgojnë në spital dhe tani është jashtë rrezikut për jetë. Me këto veprime të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të fajdesë. Të pandehurve I.D, B.N dhe A.GJ, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftimin e gjykatës në Pejë.