Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Supremja vërteton dënimin ndaj Skender Krasniqit për vrasjen e djalit të tij

Skender Krasniqi, Albert Krasniqi, vrasje nga pakujdesia

Gjykata Supreme e Kosovës ka vërtetuar dënimin me burgim ndaj Skender Krasniqit për vrasjen e djalit të tij, nga pakujdesia.

Gjykata ka refuzuar kërkesën e përbashkët për mbrojtje të ligjshmërisë së ushtruar nga avokatët Ramiz dhe Fanol Krasniqi lidhur me këtë rast, duke e konsideruar si të pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi” të mërkurën.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa e përbashkët për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësve të të dënuarit S.K. e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë Departamenti i Përgjithshëm P.nr.3269/2021 të datës 03.12.2021 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës PA1.nr.31/2022 të datës 25.02.2022”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Skender Krasniqin, e ka shpallur fajtor për shkak të veprës penale “vrasje nga pakujdesia” dhe e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri vjet e pesë muaj, të cilin vendim më pas e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë të përbashkët për mbrojtje të ligjshmërisë kanë paraqitur mbrojtësit e të dënuarit, avokatët Ramiz dhe Fanol Krasniqi për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal.

Ata kanë propozuar që Gjykata Supreme e Kosovës, ta aprovojë si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, t’i anulojë aktgjykimet e kundërshtuara dhe çështjen ta kthejë në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë apo së shkallës së dytë ose të ndryshojë aktgjykimet e kundërshtuara dhe i dënuari të lirohet nga dënimi, pasi që sipas tyre ekzistojnë bazat e posaçme të lirimit nga dënimi për veprën penale nga pakujdesia.

Edhe Tre vjet e pesë muaj burgim Skënder Krasniqit për vrasjen e djalit Kronikë Tre vjet e pesë muaj burgim Skënder Krasniqit për vrasjen e djalit

Aktakuza ndaj Skender Krasniqit është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në tetor të vitit 2021, për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Aty është bërë e ditur se Skender Krasniqi, më 27 janar 2021, rreth orës 17:00, nga pakujdesia ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin Albert Krasniqi.

Sipas aktit akuzues, kur i ndjeri ia ka lëshuar në dorë babait të tij revolen e tipit “TT M57” për ta shikuar, për të cilën thuhet se ka dashur që ta blejë, revolja ka shkrepur në duart e Skender Krasniqit në drejtim të djalit të tij, duke e qëlluar në gjoks, pas çka Alberti ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes. /Betimi për Drejtësi