Gjykata Themelore në Prishtinë u ka shqiptuar 58 vjet burg shtatë të akuzuarve për vrasjen e rreshterit policor Shemsi Gashi, ndërsa njëri nga të akuzuarit është shpallur i pafajshëm.
I akuzuari Vesel Gjinovci është dënuar me 9 vjet e gjysmë burg në akuzat për vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje; Kujtim Bejiqi është dënuar me 6 vjet burg; Ramadan Gashi, i akuzuar për shtytje në vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje u dënua me 25 vjet; Mujë Gashi u dënua me 3 vjet burgim për veprën penale armëmbajtje pa leje ndërsa u lirua nga akuza për veprën penale shtytje në vrasje të rëndë; Robert Gashit i është rikualifikuar vepra penale nga ndihmë në moslajmërim të veprës penale dhe u dënua me 3 vjet burgim, ndërsa u lirua nga vepra penale armëmbajtje pa leje; Vesel Bunjaku u dënua me 7 vjet e 6 muaj ndërsa Adonis Gashi u dënua me 4 vjet burgim.
I akuzuari Agron Gashi është liruar nga akuzat meqë, sipas trupit gjykues, prokuroria nuk ka arritur të argumentojë me prova që është kryes i veprës penale të shtytjes në vrasje të rëndë.
Po ashtu gjykata me aktvendim të veçantë ka vendosur që t’i konfiskojë përgjithmonë sendet e luajtshme me të cilat është mundësuar kryerja e veprës penale.
Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars 2015 në Lagjen “Mati” të Prishtinës, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzoi tetë persona.
Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi, transmeton kallxo.com.
Edhe
Katër të akuzuarve për vrasjen e policit u ashpërsohen rëndë dënimet, njërit i zvogëlohet
Në aktakuzë bëhet e ditur se për vrasjen e Gashit, Vesel Gjinovcit e Kujtim Bejiqit u ishin premtuar 5 mijë euro.
Aktakuza zbulon se shtëpia e Gashit ishte sulmuar me armë një muaj para vrasjes së tij, por rreshteri nuk e kishte lajmëruar sulmin në polici, ngase dëshironte që problemet private t’i mbante larg detyrës zyrtare.
Në seancën e kaluar, Vesel Gjinovci ishte penduar për vrasjen.
-
Prokuroria i kërkon gjykatës që t`i dënojë të akuzuarit për vrasjen e policit Shemsi Gashi
-
Vrasja në Aktash, Paneli për lirim me kusht lirojë Vesel Bunjakun dy vjet pa e vuajtur dënimin e plotë
-
I vrari në Aktash ishte liruar me kusht tetë muaj para përfundimit të dënimit
-
Gjykatat nuk u kujdesën ta kthenin në burg Adonis Gashin, pas rritjes së dënimit