(E përditësuar 14:15) -
Kryeziu ka bërë të ditur se hetimet për këtë çështje i kanë nisur në marsin e vitit 2025. Target për arrestim i kanë pasur 46 persona. Shtatë të dyshuar që nuk janë arrestuar ndodhen jashtë vendit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Po flasim për një rast ku kemi urdhëresa për bastisjen e 47 shtëpive. Përfshihet edhe një person juridik. Bëhet fjalë për keqpërdorime në BKS. Cak i hetimeve ishin ish-drejtori ekzekutiv, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave të BKS-së, Valon Berisha”, ka thënë ai.
Kryeprokurori ka thënë se ekziston dyshimi se Mazreku dhe Berisha duke keqpërdorur autorizimet nga BKS-ja i kanë mundësuar vetes fitime të mëdha dhe i kanë shkaktuar dëm Byrosë mbi 1 milion euro. Këtë dallaver ata dyshohen se e bënë përmes personave të ndryshëm.
“Ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë bërë dokumente të falsifikuar. I kanë shkaktuar dëm Byrosë 1,043,000 euro. Kemi hasur në 166 transaksione të dyshimta – 25 kanë të bëjnë me 12 personat me të cilët kishin arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore kinse si autorizues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion. Dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe 2023, teksa personat kanë qenë të kompensuar në vitet e mëhershme”, ka deklaruar Kryeziu.
Shuma më e vogël e tranksasioneve ka qenë, sipas tij, 6,800 euro e më larta 68 mijë euro.
“46 persona fizikë i kemi pasur target për arrestim – 39 janë të arrestuar, për të cilët Prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim. Aksioni i sotëm ka përfshirë të gjithë territorin e Kosovës. Nuk ka pasur regjion pa bastisje dhe arrestim për këtë çështje”, shtoi ai.
Kryeziu ka thënë se në aksion kanë sekuestruar 23 mijë e 700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme, pajisje elektronike dhe e theksoi bashkëpunimin e ngushtë me inteligjencën financiare, ku ka thënë se kanë arritur t’i bllokojnë 1 milionë e 300 mijë e 886 euro.
Kryeziu ka shtuar se 7 persona të tjerë të dyshuar nuk janë në Kosovë.
“Përderisa 7 në bazë të veprimeve hetimore dhe operative në terren rezultojnë që janë jashtë Kosovës, mirëpo veprimet hetimore nuk do të ndalen në drejtim të tyre dhe secili, për veprimet që i ka bërë dhe kundërligjshmërinë e tyre, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë. Ne do të kujdesemi që në kuadër të mandatit që palën e dëmtuar BKS’në të sigurohemi ta kompensojmë cent më cent. Prandaj kemi ngrirë pasuri edhe më shumë se ata që dyshohet se e kanë keqpërdorur, por mos të harrojmë se jemi në fazë të hershme dhe mund të zgjerohemi edhe më tutje”, theksoi ai.


Prokuroria e Prizrenit me aksion në disa qytete, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara
Një aksion i madh është duke u zhvilluar në të gjitha komunat e Kosovës, i udhëhequr nga Prokuroria e Prizrenit. Këtë aksion po e realizojnë një numër i konsiderueshëm i prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Lajmin e ka bërë të ditur për KOHËN, kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ndërsa ka konfirmuar se target janë 40 të dyshuar.
“Mund të konfirmoj që jemi ende në aksion dhe aksioni ka përfshirje në të gjitha komunat e Kosovës. Po udhëhiqet nga Prokuroria e Prizrenit. Bëhet fjalë për mbi 40 të dyshuar”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje për KOHËN.
Raportohet se aksioni është duke u zhvilluar lidhur me kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe falsifikim të dokumentit”.
Deri tani janë arrestuar disa persona në regjionet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilan, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka theksuar se pas përfundimit të aksionit do të mbahet një konferencë për media.
Betimi për Drejtësi ka raportuar se në mesin e të arrestuarve në aksionin e së enjtes që po zhvillohet nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe ish-drejtori i Financave në BKS, Valon Berisha.
Aksioni i Prokurorisë, BKS-ja thotë se e inicioi vetë rastin për hetim
Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) ka njoftuar se aksioni i drejtuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.
BKS-ja ka thënë se pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.
“Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve”, thuhet në njoftim.