Prokurori i Shtetit njofton opinionin se gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur 26 aktakuza kundër 36 personave për vepra të ndryshme penale.
Përmes komunikatës për media, njofton se janë ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit 11 persona të ndryshëm për shkak të dyshimit se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
“Po ashtu, prokurori i shtetit ka bërë 4 kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër personave të cilët dyshohet se kanë kryer vepra të ndryshme penale, si dhe ka bërë 3 kërkesa për sekuestrim të përkohshëm, përkatësisht një automjet të tipi Opel, çelësat e veturës, një motoçikletë dhe çelësat e mjetit, si dhe sekuestrimin e 1 rimorkio e markës Trailor, viti i prodhimit 1986”, thuhet në raport.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar 6 persona me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Dhunë në familje”, “Lëndim i lehtë trupor”, “Lirimi i kundërligjshëm i personave të privuar nga liria”, “Detyrimi” dhe “Grabitja”.
Po ashtu, kjo prokurori ka bërë 1 kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për 1 person me dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë”. Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit, janë ngritur 9 aktakuza kundër 9 personave për vepra të ndryshme penale.
Gjatë 24 orëve të fundit në Prokurorinë Themelore në Prizren, janë ngritur 2 aktakuza për 2 persona për vepra të ndryshme penale.