Gjykata Themelore në Pejë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit U.M. Të pandehurin U.M, Gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues konfiskimi i veturës dhe është urdhëruar shitja e të njëjtës nga ana e Agjensionit për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar.
“I pandehuri është obliguar në pagimin e shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind (100) euro, në atë ne afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dhe në emër të taksës së programit për kompensimin e viktimave të paguaj shumën prej pesëdhjetë (50) euro. Të pandehurit i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit”, thuhet në komunikatë.
Gjykata thotë se i pandehuri U.M shpall fajtor për shkak se me datë 27.12.2018, rreth orës 14:30 minuta, në Istog, me dashje ka ndihmuar personin tjetër për kryerjen e veprës penale të grabitjes me armë, në atë mënyrë që ditën kritike, pasi që më parë ishin marrë vesh për grabitje me të dyshuarin tanit të ndjerin Kamer Metaj, ky i fundit armatoset me armën - pushkë automatike, një revole, një granatë dore, siguron veshje pallton ngjyrë krem, një jakne ngjyrë të zezë, dorëza me maskë, shkon në shitoren e fshatit Shushicë e Ulët.
“Aty të akuzuarit Ujkan, ja bënë me shenjë se është i gatshëm, i akuzuari Ujkan, hynë në veturën e të dyshuarit tani të ndjerit Kamer, ulet në ulësen e vozitësit dhe vozitë veturën, ndërkaq i dyshuari tani i ndjeri Kamer, ulet në ulësen e pasme të veturës, nisen në drejtim të Istogut, i dyshuari tani i ndjeri Kamer, gjatë rrugës ndërron veshjen dhe maskohet. Kur arrin në Istog, i dyshuari tani i ndjeri Kamer, i maskuar dhe i armatosur ka dalë nga vetura, ka shkuar në drejtim të NLB-Bankë, ndërkaq i akuzuari sipas marrëveshjes paraprake vazhdon vëzhgimin nga vetura dhe kthehet në fshatin Shushicë, e që pas pak i dyshuari tani i ndjeri Kamer, i armatosur ka hyrë në NLB – Bankë, dhe nën kërcënim të armës ka grabitu shumën e të hollave prej 3.636,00 euro, pasi që e ka marrë urdhrin nga polici Izet Demaj, për t’u ndalë, ai ka shtënë disa herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë të rënda, e që ai më vonë gjatë rrugës për në spital edhe ka ndërruar jetë, ndërkaq Policia gjatë shkëmbimit të zjarrit e ka goditur për vdekje të dyshuarin tani të ndjerin Kamer”, thuhet në komunikatë, me çka i pandehuri ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e vjedhjes grabitqare.
“Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, përfundon njoftimi.