Një person ka vdekur derisa po trajtohej në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) në orët e para të së martës në Prishtinë, pasi ishte aksidentuar të hënën në hyrje të Vushtrrisë.
Policia e Kosovës i ka thënë KOHËS se në aksident ishin përfshirë tri vetura me tre të lënduar, ku njëri prej tyre ka humbur jetën. Viktima është 48-vjeçar me inicialet M.M dhe trupi i tij është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
“Mbrëmë rreth orës 18:00 është raportuar për një aksident trafiku me lëndime i shkaktuar në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në segmentin rrugor në hyrje të Vushtrrisë. Në aksident ishin përfshirë tri vetura, si pasojë e aksidentit lëndime kanë pësuar tre persona të cilët janë dërguar në emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë, më pas dy nga të lënduarit janë dërguar në SHSKUK-Prishtinë”, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Një person ka vdekur edhe në Klinë në një aksident trafiku në orët e para të së martës.