Kronikë

Ngrihet aktakuzë për inkasantin e KEDS-it që përvetësoi para në Pejë e Istog

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër A.B. për “përvetësim në detyrë” dhe “mashtrim” pasi dyshohet se kishte përvetësuar 360 euro në cilësinë e inkasantit të KEDS-it.

Në njoftim të Prokurorisë Themelore thuhet se nga data 19 dhjetor 2017 e deri më 2 mars 2018, i dyshuari, në cilësinë e inkasantit të KEDS-it në Pejë e Istog, kishte përvetësuar 290 euro nga R.M., Q.K., E.G. dhe N.Z.. Këtë thuhet se e kishte bërë në emër të inkasimit për energjinë elektrike të shpenzuar dhe për t’i deponuar tek zyrat e KEDS-it, por ato i kishte përvetësuar.

Më 4 maj 2018, të pandehurit i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës nga KEDS-i, ndërsa më 28 maj të atij viti në fshatin Suhogerllë të Istogut, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, kishte veshur uniformën e punës duke u paraqitur si punëtor i KEDS-it dhe kishte përvetësuar 70 euro nga Sh.S. dhe I.V. kinse për pagesë të energjisë elektrike.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë.