Lauresha Maliqi, të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, e ka pranuar fajësinë rreth vrasjes së vajzës së saj të porsalindur.
Mirëpo, ajo e ka kundërshtuar kualifikimin e veprës penale si vrasje e rëndë, të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Kurse, prokurori Agron Matjani, ka deklaruar se ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë se e akuzuara e ka privuar nga jeta, foshnjën e saj të porsalindur, Ariona Maliqi.
“Duke e përshkruar mënyrën e kryerjes së kësaj vepre penale, në këtë drejtim është mirë që ekspertë neuropsikiatër që kanë jep mendimin në lidhje me gjendjen e së të akuzuarës Lauresha Maliqi, që menjëherë të nesërmen pas lindjes e ka privuar nga jeta fëmijën e saj, të deklarohen se në çfarë gjendje psiqike ka qenë e akuzuara menjëherë pas lindjes, pas kësaj prokuroria do të deklarohet në lidhje me kualifikimin juridik të kësaj vepre penale”, ka thënë prokurori Matjani.
Ndërsa, sa i përket masës së sigurisë për të pandehurën, prokurori Matjani, ka propozuar që asaj t’i vazhdohet paraburgimi.
Mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Afrim Radoniqi, e ka kundërshtuar propozimin që të mbrojturës së saj t’i vazhdohet masa e paraburgimit, me arsyetimin se vepra penale është pranuar nga e akuzuara dhe sipas tij, kanë përfunduar të gjitha procedurat hetimore në lidhje me rastin.
“Duke marrë parasysh që e akuzuara ka një fëmijë të mitur e cila është jetësisht e brengosur lidhur me mbikëqyrjen e këtij fëmije, i propozoj gjykatës që të caktojë një masë tjetër me të butë siç është arresti shtëpiak”, ka deklaruar avokati Radoniqi.
Edhe
Një vit e gjysmë burgim për nënën nga Gjakova që vrau foshnjën e saj
Lidhur me këtë, gjykatësi Shaqir Zika, ka thënë se do të marr vendim të veçantë, ku më pas do të njoftohen palët, kurse seancën e radhës e ka caktuar më 18 korrik 2018, në ora 10:00.
Sipas aktakuzës, më 22 mars 2018, rreth orës 15:40 në Gjakovë, në njërin nga objektet e mbetura të ish-kazermës ushtarake, ka privuar nga jeta fëmijën e saj të porsalindur, në mënyrë që e pandehura Lauresha, më 21 mars 2018, në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” ka lindur foshnjën, tani të ndjerën, ashtu që të nesërmen më 22 mars 2018, pasi lëshohet nga spitali me foshnje në dorë, shkon të ish-kazerma e ushtrisë dhe në njërën nga dhomat e ndërtesës, pasi hap një gropë e mbështjellë të porsalindurën me një batanije, duke e mbuluar me gurë dhe një copë betoni e varros.
Për këto veprime, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë./Betimi për Drejtësi