I akuzuari Driton Maloku nga Prishtina me vendbanim në Zvicër e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzat për kanosje ndaj deputetes së Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu. Kjo e fundit gjatë deklarimit të saj ka thënë se i akuzuari nuk ishte i sinqertë kur pranoi fajësinë.
“E pranoj edhe…ka qenë gjendje emocionale, edhe qe s’votoj për Kosovën qe 20 vjet, 2000- tën kom votu niher në jetë tem në Kosovë nuk merrna me politik m’vjen keq ka qenë gjendje emocionale dhe i kërkoj falje deputetes”, tha Maloku
Ndërsa Musliu tha se vlerësonte iniciativën për kërkim falje nga ana e të akuzuarit, por sipas saj pranimi i fajësisë ishte i pa sinqertë.
“E vlerësoj iniciativën për kërkim falje por edhe unë vërejta josinqeritetin në kërkim falje, ky pranim i fajësisë është i pa sinqertë”, tha Musliu.
E njëjta po ashtu tha se përveç kanosjes me jetë, Maloku kishte tentuar edhe ta shantazhojë sepse mesazhi që kishte pranuar sipas të njëjtës përmbajtje shantazhuese që të mos paraqiste rastin para organeve të drejtësisë.
Ndërsa edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Faton Fetahu tha se e kundërshtojnë në tërësi pranimin e fajësisë pasi nuk ishte i sinqertë duke kërkuar nga gjykata mos aprovimin e pranimit të fajësisë sepse i akuzuari Maloku nuk kishte kanosur një person të zakonshëm por një deputete të popullit në Kuvendin e Kosovës,
Po ashtu i njëjti tha se dukuria e kanosjes së figurave të larta shtetërore ishte në rritje të vazhdueshme dhe në këtë rast avokati kërkoi nga gjykata që t’i japë përgjigje kësaj dukurie përmes gjykimit të këtij rasti i cili do të shërbejë si shembull i mirë i praktikes gjyqësore ku personat të cilët me dashje kanosin të përzgjedhurit e popullit të marrin dënim meritor.
Avokati i Malokut kërkoi nga gjykata se gjatë matjes së dënimit që të kenë parasysh faktin e pranimit të fajësisë, shprehjes së keqardhjes, kërkim faljes duke i propozuar gjykatës që ndaj të akuzuarit Maloku të shqiptohet një dënim i kushtëzuar sepse nuk ekziston rreziku që i njëjti të përsëris vepër të ngjashme.
Ndërsa pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua as nga prokurorja Zana Sadiku-Sertolli e cila gjykatës i propozoi që të njëjtin ta shpall fajtor dhe t’i shqiptojë dënim meritor duke marrë parasysh si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë ndërsa si rrethanë rënduese të marrë parasysh shkallen e dashjes për të kryer veprën penale.
Pranimi i fajësisë u aprovua nga gjykatësi Driton Berisha pasi ishin plotësuar kushtet ligjore dhe se që sipas tij nuk kishte shkelje ligjore.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale do të bëhet më 7 gusht 2023./ BetimipërDrejtësi