Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Me varkë kontrabanduan mish derri nga Serbia, ndalohen tre të dyshuar

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të cilët kishin kontrabanduar mish derri nga territori i Serbisë për në territorin e Kosovës me anë të një varke.

Policia ka thënë se është vërejtur një varkë duke lëvizur në Liqenin e Ujmanit të martën mbrëma. Pasi varka kishte ndaluar, të dyshuarit kishin marrë me vete 4 qese mish derri me peshë 40 kilogramë dhe i kishin futur në një objekt në afërsi të lokacionit ku ndaluan.

Policia ka njoftuar se ka konfiskuar mishin dhe motorin e varkës, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për kontrabandim me mallra. Ata më pas janë liruar në procedurë të rregullt ndërsa malli i konfiskuar i është dorëzuar Doganës së Kosovës.

“Gjatë vëzhgimit në zonën stacionit policor në Bërnjak dhe Liqeni i Ujmanit kanë vënë re një varkë, që dyshohet se ka lëvizur nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë vëzhgimit po ashtu janë vërejtur persona të dyshuar duka zbritur nga varka, të cilët me vete kishin pasur të ngarkuara 4 qese me mish derri në sasi prej rreth 40 kg, të cilat i kanë futur brenda në një objekt në atë lokacion. Lidhur me rastin, në vendngjarje kanë dalur njësitë përkatëse policore me ç’rast është bërë konfiskimi i mishit dhe i motorit të varkës, ndërsa 3 personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion policor, si të dyshuar për kontrabandim me mallra, për zhvillim të procedurave të mëtejme. Pas konsultimit të prokurorit kujdestar, me rekomandim të tij, të njëjtit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli i konfiskuar i dorëzohet Doganës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.