Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim për pronarin kompanisë që falsifikoi dokumentet për tender

arrestim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgim prej një muaji ndaj pronarit të një kompanie në Gjilan që kishte falsifikuar dokumentet për tender.

J.M., sipas dyshimeve të bazuara, pronar i kompanisë “Tribune” ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Renovimi dhe meremetimi i objekteve spitalore” dhe “Rregullimi i nxehjes qendrore”, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur dokumentacion të rremë, ka arritur të shpallej fitues i tenderit prej 47,058.03 Euro.

“ Me këto veprime, i pandehuri J.M., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, nga neni 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Po ashtu, i njëjti, pa autorizim ka lëshuar dokument në emër të personit tjetër, ashtu që ka prezantuar kontratë mbi vepër, të cilën e ka nënshkruar në emër të dikujt tjetër, ka përpiluar CV dhe referenca me përmbajtje të rreme të kompanisë së tij. Në këtë mënyrë, i njëjti dyshohet edhe për veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, nga neni 391 të KPRK-së”, thuhet nga Prokuroria.