Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Ish ministrat Beqiri e Haraqija lihen të lirë, Morina e Fejza detyrohen të kthejnë paratë MKRS-së

Gjykata e Apelit e Kosovës, duke vendosur sipas ankesave të palëve ka marr vendim në çështjen e të akuzuarve Nehat Fejza, Armond Morina, Valton Beqiri dhe Astrit Haraqija.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se në rastin e të akuzuarit të parë, Nehat Fejzës, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit, atij, për veprën penale “Mashtrim në detyrë”, ia shqipton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, dënim ky që nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari në afatin e verifikimit prej 3 vitesh, nuk kryen vepër tjetër penale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Po ashtu N.F. urdhërohet që Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumë prej 188,000 (njëqind e tetëdhjetë e tetë mijë) Euro, në afet prej 3 muajve, pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë, nën kërcimin e ekzekutimit të dhunshëm. Nëse i akuzuari nuk përmbush detyrimin dhe nuk ia kompenson dëmin e shkaktuar MKRS-së, dënimi me kusht do të revokohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Të akuzuarit Armond Morina, për veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, Apeli ia shqipton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari, në afatin e verifikimit prej 3 tre vjetësh, nuk kryen vepër tjetër penale. Ai po ashtu urdhërohet që MKRS-së t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumë prej 100.000 (njëqindmijë) Euro, në afat prej 3 muajsh, pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë, nën kërcimin e ekzekutimit të dhunshëm.

“Në të kundërtën nëse i akuzuari nuk përmbush detyrimin dhe nuk ia kompenson dëmin e shkaktuar MKRS, dënimi me kusht do të revokohet”, thuhet në njoftimin e Apelit.

I akuzuari Valton Beqiri është liruar nga akuza për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës, apo autoritetit zyrtar”, ngase, siç thuhet në vendimin e Apelit, “gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë fakte vendimtare për veprimet inkriminuese të akuzuarit, lidhur me dashjen si elemente subjektiv të veprës penale”.

Ndërsa ndaj të akuzuarit Astrit Haraqija për të njëjtën vepër, është refuzuar akuza, për shkak të parashkrimit (vjetërsimit) të ndjekjes penale.

Në pjesët tjera aktgjykimi mbetet i pa prekur.

Prokuroria i ngarkonte dy ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri me veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ngase kishin mbështetur filmat “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës”, të producentëve Armond Morina dhe Nehat Fejza. Ndërsa, dy të fundit akuzoheshin për veprën penale “mashtrim në detyrë”. Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve u ngrit në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre nisi në marsin e vitit 2014.

Sipas aktakuzës, ish-ministri Astrit Haraqija ka drejtuar Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, ndërsa më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures” për filmin “Ndjekja e Larës”, në vlerë prej 220,000 euro. Më 30 janar 2007, i njëjti nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films” për filmin “Mysafir në sofër”, në vlerë prej 350,000 euro. Ndërkaq, ish-ministri Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2008-2010, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100,000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”. Sipas aktakuzës së prokurorisë, Ministria e Kulturës nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën totale prej 570,000 eurove, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.