Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar ankesën e palës së demtuar në rastin e të akuzuarit Shefqet Kameraj.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë, i datës 22.06.2017, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim.
“Kështu, nga 13 vjet burgim sa ishte dënuar në shkallë të parë, për veprën penale “Vrasje” nga neni 178 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuarit, dënimi i është rritur në 16 vjet”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit, raporton Koha.net.
Apeli ka gjetur se rrethanat të cilat i ka konstatuar gjykata e shkallës se parë, në rastin e shqiptimit të dënimit kundër të akuzuarit në fjalë, nuk janë të natyrës së atillë që të ndikojnë që atij t’i shqiptohet një dënim kaq i ultë, kur merret parasysh pesha e veprës penale, rrezikshmëria shoqërore, pasojat dhe sidomos mënyra e kryerjes se saj, në cilësi të personit zyrtar – rreshter i policisë, më armë zyrtare.
Kamberi është dënuar më parë me 13 vjet burgim për vrasjen e Ilmi Lufajt më 18 prill të vitit të kaluar, jo fort larg stacionit të policisë në Deçan.
“I akuzuari është shpallur fajtor, sepse me datë 18.04.2016, rreth orës 14.00, në sheshin “Mentor Tolaj” në Deçan, në cilësi të personit zyrtar, gjersa ishte në detyrën zyrtare rreshter policor në stacionin e Policisë në Deçan, ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.L. nga fshati Strellc i Ulët, Komuna e Deçanit”, thuhej në vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës më 22 qershor të këtij viti.