Policia e Kosovës ka njoftuar se në shtëpinë e të dyshuarit A.Q. në Prizren, kanë gjetur mbi 19 kilogramë substancë narkotike, që dyshohet të jetë marihuanë.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për hetim dhe trafikim me narkotikë, sektori qendror, kanë trajtuar një informacion për posedim të lëndëve narkotike nga një i dyshuar. Kështu, pas hetimeve paraprake, kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin; A.Q., (viti i lindjes 1983, mashkull kosovar), kanë arritur ta lokalizojnë shtëpinë e tij dhe sot, më 21.12.2022, pas plotësimit të procedurave për kontroll nga organet e drejtësisë, në ora 12:27 është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas njoftimin pas intervistimit, me aktvendim nga prokurori, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit në Prizren, policia ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë 19 kg 546 gramë substancë, dyshohet të jetë e llojit marihuanë. I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe në koordinim me prokurorin kujdestar ndaj tij është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’”, thuhet në njoftim.