Kronikë

Gjykata s’merr vendim për vrasjen e dyfishtë në Plloçicë, babai i viktimave sulmon një të akuzuar

Ditën kur pritej që të shpallej aktgjykimi për vrasjen e dyfishtë në Malishevë të dy vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku, trupi gjykues si rrallëherë ka vendosur që ta rihapë shqyrtimin gjyqësor me arsyetimin se nevojitet që të sqarohen ekspertizat e institutit ligjor dh balistikës.

Por, ky vendim ka revoltuar familjarët e viktimave, të cilët e kanë quajtur provokim këtë situatë. Derisa në këtë polemikë, me familjarët e viktimës është përfshirë edhe vetë kryetari i trupit gjykues.

E këtu, kryetarit të trupit gjykues i ka penguar prania e ekipit të KTV-së.

Por, me të dalë nga salla e gjykatës së trupit gjykues, familjarët e viktimave janë përplasur me njërin nga të akuzuarit në këtë rast. Derisa babai i viktimave e ka sulmuar atë me shishe.

Për familjarët i gjithë ky proces gjyqësor, po konsiderohet si i padrejtë, derisa thonë se njëri nga të akuzuarit u amnistua nga vrasja.

Ndërsa, avokatja Fehmie Gashi Bytyçi, thotë se vetë përmbajtja dhe diapozitivi i aktakuzës ka paqartësi sa i përket implikimit të personave të akuzuar për këtë vrasje.

Në këtë seancë nuk ishte i pranishëm i akuzuari Besim Maloku. Kjo, pasi sipas gjyqtarit, vetura me të cilën po transportohej ai, ka pësuar aksident, andaj ka qenë e pamundur të sillet në këtë seancë.

Sipas aktakuzës, Besim Maloku akuzohej për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku akuzohej vetëm për armëmbajtje pa leje.

Më 9 mars të 2018-s në fshatin Plloqicë të Malishevës, Besim Maloku së bashku me vëllanë e tij Blerimin, kanë hyrë në shtëpinë e kushërinjve të tyre për të vjedhur.

Sipas aktakuzës, viktimat, pasi i kanë parë të akuzuarit, kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur, i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të kushërinjve të tij, duke i lënë kështu të vdekur të dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.