Është dita e katërt që fotografia e saj shihet gjithandej kryeqytetit.
Për vendndodhjen e Remzije Mustafës nuk ka asnjë informacion, që prej të mërkurës pasdite, kur doli nga banesa e saj në lagjen “Bregu i Diellit” të Prishtinës, raporton KTV.
Familjarët e saj nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por miq të tyre kanë thënë se janë mobilizuar dhe po e kërkojnë kudo.
Për zhdukjen e 59-vjeçares, që, sipas miqve të saj, ka pasur disa probleme shëndetësore, janë njoftuar të gjitha linjat e autobusëve dhe spitalet.
Gresa Gashi, mike e familjes Mustafa, thotë se Remzija nuk është vetëm nëna e tre fëmijëve të saj. Sipas Gashit, e tillë ajo duhet të jetë edhe për qytetarët, ndihmën e të cilëve e ka kërkuar për këtë rast.
Gashi thotë se kanë pranuar shumë thirrje nga qytetarët, por informacionet e tyre, sipas saj, deri më tani kanë çuar te një grua e pastrehë që ka shumë ngjashmëri me të zhdukurën.
Në anën tjetër, Policia nuk ka dhënë shumë informacione rreth masave që ka marrë për gjetjen e të zhdukurës.
Në një deklaratë me shkrim për KTV-në, ky institucion ka ftuar për bashkëpunim qytetarët që mund të kenë informacione për këtë rast.
“Më 07.11.2019, në stacionin policor ‘Qendra’, është iniciuar rasti ‘Person i zhdukur’. E zhdukur është një femër e lindur më 1960, Policia është duke hetuar rastin, deri në këto momente nuk është gjetur. Ftojmë të gjithë ata që kanë çfarëdo informate ta ndajnë me ne, në mënyrë që ta zbardhim rastin”, ka thënë Policia e Kosovës.