Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Dyshohet për dhunim ndaj të miturës, 30 ditë paraburgim për gjilanasin

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditor E.F., i dyshuar se ka keqpërdorur seksualisht një të mitur.

Sipas njoftimit, më 15 nëntor, i pandehuri ishte njoftuar me të miturën në rrjetet sociale, derisa në ora 23:00 e kishte çuar në një motel.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 15.11.2021, rreth orës 23:00, i pandehuri në një motel ka keqpërdorur seksualisht të miturën, fillimisht janë njoftuar në rrjetet sociale, pastaj në orët e vona kanë shkuar në motel. Me këto veprime, i pandehuri E. F. ka kryer veprën penale dhunimi vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka konsideruar se është plotësuar kushti ligjor për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, ndonëse i pandehuri ka pranuar veprimet që i ka ndërmarr”, thuhet në njoftim.