Një burrë është arrestuar në Pejë nën dyshimin se ka dhunuar seksualisht bashkëshorten e tij, në kuadër të një rasti të cilësuar nga Policia si “Dhunë në familje”.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur më 22 shkurt rreth orës 22:00, ndërsa arrestimi i të dyshuarit është bërë një ditë më pas, më 23 shkurt.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Pejë 22.02.2026 – 22:00. Me 23.02.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka ushtruar dhunë dhe ka dhunuar seksualisht viktimën femër- bashkëshorten e tij”, thuhet në raport.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar tri armë zjarri dhe 27 fishekë, për çka dyshohet edhe për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Zëdhënësi për media i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë për KOHËN se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Është ndaluar për 48 orë për veprën penale dhunimi me urdhër të prokurorit të shtetit. Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale. Kurse, viktima ka marrë tretmanin e duhur pas raportimit të rastit dhe për momentin gjendet në shtëpi të sigurt”, ka thënë ai.
Prokuroria në Pejë e kualifikon "Dhunim" rastin që Policia e cilësoi "Dhunë në familje"
Prokuroria Themelore në Pejë e cilëson “Dhunim” rastin e raportuar të martën nga Policia të një gruaje në Pejë, që dyshohet se është dhunuar seksualisht nga burri i saj e gjithashtu edhe është rrahur, por që rasti është kategorizuar në rastet e dhunës në familje.
Në një lidhje direkte në “Tre8tre” të KTV-së, zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, ka thënë se i dyshuari është ndaluar për veprën penale “dhunimi” e edhe për vepra të tjera.
“Ajo është një flash-raport i Policisë së Kosovës, mirëpo këto vepra penale i cilëson prokurori i shtetit, teksa ky rast është cilësuar si vepra penale ‘Dhunimi’”, ka thënë ai.
Nikçi ka shtuar se pas bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri dhe fishekë.
“Është ndaluar një person për veprën penale ‘Dhunimi’, i cili dyshohet se në vazhdimësi ka keqtrajtuar në mënyrë fizike dhe seksuale bashkëshorten e tij dhe çështja është cilësuar si vepër penale ‘Dhunimi’, ndërkaq Policia e Kosovës në shtëpinë e tij ka gjetur dhe sekuestruar tri armë të zjarrit dhe fishekë, për çka do të ngarkohet edhe me veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje’, ndërkaq prokurori i shtetit aktualisht është duke përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të personit të pandehur, ndërsa viktimës i është ofruar tretmani i duhur dhe e njëjta gjendet për momentin në strehimore apo në shtëpi të sigurt”, ka thënë ai.