Dy persona janë arrestuar në dy raste të ndara për tentim-vjedhje në 24 orët e fundit.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, në rastin e parë, në rrugën “Hoxhë Tasini” në Prizren, një person, i komunitetit boshnjak, kishte njoftuar se dy të dyshuar kishin tentuar t’i hapnin me forcë derën e shtëpisë. Policia ka arritur të identifikojë dy të dyshuarit, shqiptarë, dhe të arrestojë njërin nga ta (i mitur). Tjetri është në arrati. Me vendim të prokurorit, i arrestuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.
Në rastin tjetër, në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë dy persona kanë njoftuar se në oborrin e shtëpisë kanë hasur në tre të dyshuar duke ua vjedhur derivatet nga kamionët. Të dyshuarit teksa iknin kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimave. Një nga të dyshuarit është ndalur në vendin e ngjarjes nga ankuesit, ndërsa më pas ka pranuar tretman mjekësor pas lëndimeve të marra në ballafaqim me ankuesit. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, kurse dy të tjerë janë në arrati.