Rreth 12 vjet pas vrasjes se pjesëtarit të Policisë se Kosovës, Triumf Riza, i akuzuari Enver Sekiraqa është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë 30 vite burgim.
Një proces maratonik kundër Sekiraqës ka përfunduar sot në shkallën e parë të gjyqësorit. Kryetari i trupit gjykues për këtë rast, Shashivar Hoti, gjatë leximit të arsyetimit të vendimit, ka thënë se është fajtor për shtytjen në veprën penale vrasje e rëndë, raporton Koha Ditore.
Sekiraqa sipas aktakuzës së EULEX-it fillimisht akuzohej për tri vepra penale. Në procesin e parë gjyqësor para kthimit në rigjykim ai ishte liruar nga akuzat për dhunim, por ishte dënuar për shtytje në vrasje dhe detyrim. Ndërsa, në këtë proces është gjykuar vetëm pë shtytje në vrasje. Prokurori Andrew Carney e pati akuzuar Enver Sekiraqën për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza në gusht të 2007-ës në Prishtinë. Rreth tri vjet me parë, po e njëjta gjykatë me trup gjykues tjetër (një gjyqtar kosovar e dy gjyqtarë të EULEX-it) e pati dënuar për të njëjtat vepra Sekiraqen me 37 vjet burg.
Ai ishte dënuar që e ka nxitur Arben Berishën ta vrasë Triumf Rizën. Berisha një proces të ndarë gjyqësor është dënuar me 30 vjet burg. Sekiraqa ishte dënuar edhe për veprën penale detyrim pasi që trupi gjykues kishte gjetur se e ka detyruar këngëtaren Adelina Ismaili t’i jepte para.
Gjykata e Apelit në tetor të vitit 2017 e kishte kthyer këtë rast në rigjykim.