Një çift është gjetur i vdekur në shtëpinë e tyre të dielën në fshatin Pataqan i Poshtëm në Rahovec
Policia e Kosovës ka njoftuar se ekipi mjekësor e konstatuar vdekjen në vendin e ngjarjes, e sipas ekzaminimeve, ata dyshohet se janë asfiksuar nga tymi pasi kishte marrë flakë një kolltuk nga priza elektrike.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e nevojshme policore.
“Më datën 17.03.2024 rreth orës 12:25 jemi njoftuar se në fshatin Pataqan i Poshtëm në Rahovec, burrë e grua të moshës madhore janë gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tyre. Njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimave. Nga hetimet e para të zhvilluara, ekzaminimet e kryera në vendin e ngjarjes si dhe dëshmive tjera të siguruara, dyshohet se deri te vdekja e viktimave ka ardhur si pasojë e asfiksimit nga tymi, pasi kishte marr flakë një kolltuk, dyshohet nga një prizë elektrike”, thuhet në njoftimin policor.
Shkaktari zyrtari i vdekjes së çiftit do të vërtetohet pas ekzaminimit mjeko-ligjor.
Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”.
Edhe
Gjendet i vdekur një çift në bjeshkët e Junikut
Kryetari i Rahovecit, Smal Latifi, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave. Ai ka thënë se rasti është shumë pikëllues.
“Shumë pikëlluese dhe e dhimbshme humbja tragjike e jetës së dy bashkëshortëve, Haki Zekës (85 vjeç) dhe Zymryte Zekës (68 vjeçe) nga fshati Pataqan i Ulët. Me këtë rast, u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Zeka, farefisit dhe të gjithë atyre që i njohën! U prehshin në paqe”, thuhet në reagimin e tij në Facebook.