Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet “Curri” pronar i bastoreve dhe kazinove

Burimet e Koha Ditore marrin vesh se sot është arrestuar bosi i disa bastoreve dhe kazinove, Ismet Osmani, i njohur me emrin “Curri” nga Mitrovica.

Arrestimi është bërë para disa minutave në rezidencën e tij në lagjen “Marigona”.

Ai është pronar i disa bastoreve dhe kazinove tashmë të mbyllura në Kosovë.

Pas insistimit të Koha.net për të marrë një konfirmim, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka thënë se janë duke kryer një hetim të gjatë në disa lokacione dhe pas tij do të japin informacione.

“Mund të konfirmojmë se, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një hetimi të gjatë, është duke e realizuar një operacion policor i cili përfshin disa lokacione. Pas përfundimit të operacionit policor, mund të dalim me informacione shtesë”, ka thënë ai.

Mirëpo burime të Koha.net të cilët nuk kanë dashur të bëhen publik, e kanë konfirmuar arrestimin e tij dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, ndërkaq është raportuar se disa të tjerë janë arratisur.

Organized Crime and Corruption Reporting Project, në nëntor të vitit 2015 e pati përshkruar Osmanin si një nga njerëzit më të fuqishëm të krimit të organizuar në Ballkan.

Edhe “Curri” arrestohet për fajde Kronikë “Curri” arrestohet për fajde

Sipas OCCRP Ismet "Curri" Osmani themeloi kompaninë Dafina në Brno, qyteti i dytë më i madh në Republikën Çeke, që ndodhet rreth 100 kilometra në veri të Vjenës. Për një periudhë të gjatë kohore, kompania ishte e fjetur, por në gusht të vitit 2014, Osmani ia shiti pjesën më të madhe të shpërndarjes së tij, shokut të dhomës, Nikola Kužnini.

Në atë kohë sipas OCCRP-së, të dy Osmani dhe Kuznini jetonin në një shtëpi luksoze në Brezova Street në Brno. Ata e ndanin këtë adresë me Pjeter Nikollaj, i cili ishte nënkryetar i bordit drejtues të Paradise Casino Admiral- një rrjet prej 20 kazinosh që i përkasin grupit Novomatic me bazë austriake.