Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet i dyshuari për vrasjen në AKI

11:22 - Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, tha se dorasi tashmë është arrestuar.

“Ka ndodhë sot në mëngjes, ka vdekur personi, është një i dyshuar që është arrestuar, ka qenë brenda”, tha prokurori Berisha për “Betimi për Drejtësi”.


Vrasja në AKI u krye nga një punëtor i sigurimit

11:10 - Agjencia Kosovare e Inteligjencës ka njoftuar zyrtarisht për vrasjen që ka ndodhur sot në ambientet e kësaj agjencie.

“Sot, më 04.09.2018, rreth orës 09:10, në objektin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka ndodhur gjuajtje me armë zjarri, me ç’rast një zyrtar i sigurimit të brendshëm ka shtënë mbi një punonjës të bufesë. Viktima ka ndërruar jetë në QKUK”, ka thënë AKI në njoftimin për media.

Rasti, sipas AKI-së, nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së.

Me hetimin e këtij rasti po merret prokurori kompetent.


Merret vesh emri i të vrarit

10:54 - KTV merr vesh jozyrtarisht se i vrari është I.S. (emër i njohur për redaksinë).


Vritet një pjesëtar i AKI-së në vendin e tij të punës

Një person është plagosur në ambientet e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, që dyshohet të jetë pjesëtar i kësaj agjencie.

Ai është dërguar në Emergjencë në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së, ka konfirmuar për KTV-në se pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ka vdekur.

Viktima ishte dërguar në QKUK rreth një orë më parë, pak minuta pasi kishte ndodhur rasti.

Jo zyrtarisht thuhet se i vdekuri është i moshës rreth 30 vjeçare dhe është plagosur në vendin e tij të punës në AKI.

Artikuj të ngjashëm