Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet i dyshuari për marrje ryshfeti, i kërkoi 2500 euro një të burgosuri për ta liruar

Policia e Kosovës ka njoftuar të premten për arrestimin e një personi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në qendrën e paraburgimit në Mitrovicën e Jugut, pasi dyshohet se ka kërkuar të holla nga një i burgosur për ta liruar.

“I dyshuari, Sh.H., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar), dyshohet se nga një i dënuar që ishte në vuajtje të dënimit, për t’i mundësuar të njëjtit ‘faljen e një pjesës të mbetur të dënimit’, si shpërblim i ka kërkuar 2500 euro. I dyshuari gjysmën e kësaj shume e kishte kërkuar tani dhe gjysmën tjetër ‘kur të përfundon punën’ “, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e ka ndaluar veturën e të dyshuarit në parkimin e një pike të derivateve në Mitrovicë dhe gjatë kontrollit ka gjetur 1300 euro të cilat ishin të shënjestruara për hetimin e fshehtë nën ulësen e veturës.

I dyshuari është arrestuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti “marrja e ryshfetit”.

“Ai është intervistuar në prani të avokatit të tij dhe më pas, me aktvendim nga prokurori është dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftim.

Image