Kronikë

Arrestohen dy të dyshuar për tentim-vrasjen e djeshme te “Sami Frashëri”, i treti në arrati

Dje rreth orës 17:00, policia ka marrë informacionin për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë afër gjimnazit “Sami Frashëri”.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

Me të dalë në vendin e ngjarjes, policia ka konstatuar se ka të bëj me një rast “vrasje e rëndë në tentativë”, ku nga arma e zjarrit kanë pësuar lëndime dy persona, Z. J, mashkull , 30 vjeç, dhe N.U, mashkull , 44 vjeç, të dy shtetas të Kosovës, të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Në kuadër të veprimeve të saj, policia thotë se me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

Si rezultat i kësaj, rreth orës 23:00, policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë dy persona të dyshuar, N.S, mashkull, 42 vjeç dhe F.A. mashkull, 32 vjeç, që të dy shtetas të Kosovës.

Personat e dyshuar, me urdhër të Prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërkohë që bazuar në hetimin fillestar dyshohet se në këtë rast është i përfshirë edhe një person tjetër si i dyshuar, i cili është identifikuar dhe po kërkohet nga ana e policisë.