Kronikë

Reagon Ambasada e Kosovës në Gjermani për dy fëmijët e zhdukur

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka konfirmuar se ka pranuar informatën se dy fëmijë kosovarë që jetojnë atje kanë rezultuar të zhdukur.

Sipas ambasadës, janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Policisë gjermane e cila po i kërkon fëmijët që janë humbur nga mëngjesi i së enjtes.

“Fatkeqësisht deri më tani autoritetet gjermane nuk kanë arritur t’i gjejnë 13-vjeçarin Qëndrim Nimonaj dhe 11-vjeçarin Leotrim Nimonaj të cilët janë nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Ambasadës, përcjell albinfo.ch.

Armend Zemaj, ushtrues detyre i Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Gjermani, ka thënë se bëhet fjalë për 13-vjeçarin Qëndrim Nimonaj dhe 11-vjeçarin Leotrim Nimonaj, vëllezër me prejardhje nga Kosova të cilët kanë qenë të vendosur me një vendbanim kolektiv në Borsdorf afër Leipzigut.

Sipas njoftimit, familja Nimonaj është me përkatësi rome nga komuna e Klinës dhe gjendej si azilkërkues në Gjermani që nga viti 2014.

LEXO EDHE: Dy fëmijë kosovarë zhduken në Gjermani

Policia jep përshkrimin e dy adoleshentëve për identifikimin e tyre, që mund të ndihmojë ata që eventualisht mund të hasin në dy të humburit.

Qëndrimi 13 vjeçar është i gjatë në mes 1 metër e 50 dhe 1 metër e 55. I zbehtë, flokë të verdha (biond) dhe të shkurtra, sytë e kaltër. Ka pasur të veshur: një xhaketë (jakne) të bardhë, patika (atlete) të zeza Adidas. Flet shqip dhe gjermanishte fillestarësh.

Leotrimi 11 vjeçar është i gjatë 1 metër e 40, flokë të zezë, të shkurtë, sy ngjyrë kafe. Flet shqip dhe gjermanishte fillestarësh.

Të gjitha masat e deritashme të ndërmarra për dy fëmijët kanë dështuar, thotë një zëdhënës policie dhe lut qytetarët të japin informacione në rast se dinë ndonjë gjë rreth të humburve.