Kronikë

Grabitet filiali i një banke në Kamenicë, dy të arrestuar

Sot rreth orës 15:10 Policia e Kosovës në Kamenicë, ka pranuar një informatë nga punëtori i filiales së bankës "FINCA" në Kamenicë se një person nën kanosje të armës ka grabitur bankën e tyre.

Siç njofton raporti i Policisë nga Komuna e Gjilanit, zyrtarët policor nga njësiti i hetimeve në Kamenicë i janë përgjigjur rastit duke reaguar me urgjencë.

“Kanë vrapuar pas të dyshuarit pasi që i njëjti ka ikur këmbë në drejtim të një mali pranë Kamenicës. Në momentin kur është takuar, i dyshuari është thirrur të ndalet ndërsa ai është kthyer me armë të drejtuar në drejtim të zyrtarëve policor. Zyrtarët kanë arritur që ta vënë nën kontroll dhe ta arrestojnë edhe përkundër rezistencës nga ana e të dyshuarit”, thuhet në raportin policor.

Pas hetimeve të para është mësuar se në rastin e grabitjes ka qenë edhe një tjetër. I dyshuari A.L. (1988) i cili po ashtu është arrestuar nga zyrtarët Policor te Kamenicës në fshatin Petroc.

Nga personi i parë B. A. (1994) është konfiskuar një armë Revole ngjyrë e zezë– ZORAKI M 906 –B, një karikator , me shtatë fishekë të cal. 7,65 , një kapelë e zezë formë maske me dy vrima, një telefon Samsung si dhe të holla 670 Euro ( Baknota) që besohet të jenë grabitur sot në bankën "Finca".

Policia gjithashtu njofton se është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili urdhëron që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje për 48 orë kurse me rasti i cili është cilësuar "Grabitje" vazhdon të hetohet nga hetuesit rajonal të Gjilanit.