Kronikë

Aktakuzë ndaj 11 zyrtarëve dhe 7 fermerëve për keqpërdorim me subvencione në Istog

Foto: Koha / ilustrim

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër 18 personave, për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit, për subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë në Komunën e Istogut.

Siç bëhet e ditur, 11 të pandehurit janë persona zyrtarë dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza për vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ”Marrje e ryshfetit” dhe “Mashtrimi në detyrë” nga shtatë persona të tjerët janë fermerë ndaj të cilëve është ngritur aktakuza për vepra penale “Mashtrim me subvencione”.

Prokuroria përmes një komunikate për media ka njoftuare se vlera e përfituar nga vepra penale marrje e ryshfetit sipas aktakuzës është rreth 17.000 euro, kurse dëmi i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës është rreth 100.000 euro.

Prokuroria në aktakuzë ka rekomanduar konfiskimin e një banesa dhe rreth 20.000€ para të gatshme, shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.  Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e lartcekur kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë”, thuhet në njoftim.