Kronikë

Gjashtë të lënduar në aksident trafiku në Viti

Gjashtë persona kanë pësuar lëndime trupore në një aksident trafiku ndërmjet dy veturave në Viti, transmeton Koha.net.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media bën të ditur se njësitet e trafikut rajonal janë njoftuar për një aksident trafiku që ka ndodhë në orët e mëngjesit sotëm në Viti.

Hetuesit Policor me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se deri te aksidenti të ketë ardhur atëherë kur vetura “Landrover” me tabela zvicerane duke mos u ndal në shenjën e trafikut “STOP” godet veturën Golf me tabela vendore.

“Si pasoj e goditjes direkte lëndime pësojnë drejtuesi i mjetit ‘Landrover’ si dhe pesë persona që ndodheshin në veturën Golf. Personat e lënduar që të gjithë kanë kërkuar ndihmën e mjekut në Shtëpinë e shëndetit në Viti, dhe fatmirësisht shëndeti i tyre është në përmirësim”, thuhet në komunikatë.

Vozitësi i veturës “Landrover” në cilësinë e të dyshimtit si dhe pesë personat tjerë si dëshmitar janë intervistuar nga Policia e Kosovës, rasti me kallëzim penal dërgohet në Gjykatën Themelore, thotë pk.