Kronikë

Arrestohet një 43 vjeçar në Mitrovicë, në prezencë të tij një fëmijë shkrepte me armë zjarri

Foto: Koha / ilustrim

Është arrestuar në Mitrovicë një 43 vjeçar, pas një video që kishte rrjedhur online ku shihej një fëmijë në prezencë të tij duke shkrepur me armë zjarri.

Këtë e ka konfirmuar për KOHA-n, zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti.

“Policia në Mitrovicë ka realizuar një urdhërkontroll në një shtëpi, me ç’rast urdhërkontrolli ka rezultuar me gjetjen e një arme. Urdhërkontrolli është realizuar mbi dyshimet e arsyeshme të bazuara, se i dyshuari C. H. 43 vjeçar, dyshohej për posedim të armës, pasi në rrjetet sociale ishte postuar një video sekuencë ku në prezencë të tij një fëmijë shkrepte një armë zjarri”, ka thënë Zahiti.

Tutje thuhet se gjatë kontrollit Policia te i dyshuari ka gjetur dhe ka sekuestruar një armë, e llojit pistoletë, e cila dyshohet të jetë përdorur në video sekuencat e postuara.

“I dyshuari pas procedurave intervistuese është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij është iniciuar procedurë për vepër penale “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armës””, ka thënë Zahiti.