15:44

Lirohet zyrtari policor i arrestuar sot, urdhërohet që të izolohet në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka proceduar me rastin e zyrtarit policor i cili ishte arrestuar të martën meqë dyshohet se ka shpërfillur masat të cilat janë vendosur nga Qeveria e Kosovës për luftimin e pandemisë koronavirusit.

Zyrtari policor është liruar nga ndalimi për t’u dërguar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për izolim, raporton KOHA.

Ai dyshohet se ka pasur kontakte me disa persona të cilët gjendeshin në Kosovë por të cilët ishin shtetas të huaj.

Në kohën kur është arrestuar, zyrtari policor ishte jashtë detyrës zyrtare.

Prokurorja Rozelita Manastiri ka deklaruar se i njëjti gjendej në veturë me persona tjerë dhe se kishte refuzuar që të dërgohej për izolim dhe më pas ishte arrestuar.

“Ka qenë me 5 persona në veturë të cilët nuk kanë qenë shtetas të Kosovës dhe ata janë dërguar në karantinë mirëpo zyrtare policor ka refuzuar izolimin që është përcaktuar edhe nga Instituti. Ai ka qenë në kontakt me këta persona dhe potencialisht mund të jen të infektuar. Zyrtari policor është liruar me procedurë të rregullt mirëpo me urdhëresë me u procedu në bazë të urdhëresave të IKSHPK-së për karantinim në Prishtinë” ka thënë ajo.

11:06

Sveçla dënon rastin e policit të suspenduar: “Nuk do të lejojmë njollosjen e PK-së”

Ushtruesi i detyrës në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka njoftuar për suspendimin e një zyrtari policor në Inspektorati Policor i Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës më ka njoftuar për suspendimin e një zyrtari të Policisë së Kosovës, që nuk ka përfillur urdhrat bazuar në vendimet qeveritare lidhur me pandeminë Covid 19. Si u.d ministër do të inkurajoj të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit që të jenë të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që bëjnë shkelje të ligjit, dispozitave ligjore dhe urdhrave të Qeverisë”, njofton Sveçla.

Sipas Sveçlës, Policët e Kosovës duhet të jenë garant i zbatimit të ligjit dhe shkelje të tilla në këtë kohë janë një model i keq edhe për qytetarët e Kosovës, siç shkruan Sveçla, “të cilëve po u bëjmë thirrje të vazhdueshme për të ndjekur udhëzimet e institucioneve të Kosovës”.

“Ky rast është i dënueshëm dhe kam kërkuar nga të gjitha organet që ta trajtojnë me seriozitetin më të madh sipas të gjitha dispozitave ligjore në fuqi. Policia e Kosovës po bën punë të jashtëzakonshme këto ditë. Ata po vazhdojnë të qëndrojnë në vijën e parë të frontit në këtë kohë pandemie. Nuk do të lejojmë që askush dhe për asnjë arsye të njollosë punën e jashtëzakonshme që po bëjnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, ka përfunduar Sveçla.

09:57

Arrestohet një zyrtar policor, dyshohet për mospërfillje të masave rreth koronavirusit

Një zyrtar policor në Gjilan është arrestuar të martën, shkaku i dyshimeve për mospërfillje të urdhrave rreth pandemisë së koronavirusit, është bërë e ditur të mërkuren nga Inspektorati Policor i Kosovës.

IPK, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se nga policia e kishte marrë informatën rreth dyshimeve për këtë këtë zyrtar (me gradën e togerit), jashtë detyrës zyrtare.

“Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me prokurorin kujdestar”, shkruan në njoftim.

Njoftimi ka bërë të ditur për arrestimin e këtij zyrtari, në dyshimin për veprën penale “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, kurse “me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, transmeton KOHA.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, shkruan në njoftim.