Kronikë

34 persona të ndaluar në 24-orëshin e fundit për shkelje të masës për kufizim të lëvizjes

Descriptive Text

Policia e Kosovës ka ndaluar 34 persona në 24 orët e fundit në gjithë Kosovën, për shkelje të masave që kanë të bëjnë me kufizimin e lëvizjes shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Sipas raportit policor, 34 personat janë ndaluar në 18 raste të ndryshme dhe shumica prej tyre janë ndaluar pasi kanë lëvizur jashtë orarit të lejuar, që është nga 6:00 – 17:00.

Më së shumti të ndaluar janë raportuar nga Prishtina dhe Gjakova – nga 11, transmeton KOHA.

Në Prishtinë është ndaluar një person pasi në momentin e kontrollit nga Policia, është vërtetuar se ai ishte në listën e atyre që duhej të ishin në vetëizolim, ndërkohë një tjetër pasi kishte shërbyer kafe në lokalin e tij kundërshtim me udhëzimet e Qeverisë.

Në Prizren është arrestuar një person pasi ka sulmuar dy policët në momentin që ishte ndaluar në orët kur nuk lejohet lëvizja në qytet.

Pos të ndaluarve për shkelje të masave të lëvizjes, të cilët janë lënë të lirë dhe ndaj tyre do të ndiqet procedurë e rregullt, janë arrestuar 25 persona në 24 orët e fundit dhe janë shqiptuar 380 tiketa trafiku.