Kronikë

Policia shoqëron deputetin Demiri, iu gjet një armë gjysmë-automatike pa leje

Descriptive Text

Deputeti Rasim Demiri dhe një i afërm i tij, të hënën, janë shoqëruar në Stacionin Policor të Prizrenit për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Pas intervistimit nga Policia, ata janë liruar në procedurë të rregull.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se organet e rendit te deputeti Demiri dhe nipi i tij kanë gjetur një armë pa leje.

Shoqërimin e dy personave të dyshuar për armëmbajtje pa leje e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Në fshatin Pousko, rreth orës 15:20 minuta janë hasur dy persona me një armë pa leje, gjysmë automatike me 16 fishekë. Të dyshuarit janë sjellë në Stacionin Policor në Prizren, ku edhe janë intervistuar. Me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt hetimore”, ka thënë Osmanollaj.

Ndërkaq deputeti Rasim Demiri, përmes një paraqitjeje në rrjetet sociale, ka theksuar se nuk është arrestuar dhe se është në shtëpi me familjen e tij. Raportimet për arrestimin e tij i ka quajtur dezinformata në kuadër të fushatës për baltosjen e personalitetit të tij dhe të subjektit që përfaqëson.

“Demantoj të gjithë ata që plasojnë lajme të rreme për arrestimin tim”, ka thënë Demiri.

Rasim Demiri në ish-qeverinë Haradinaj ka qenë në krye të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.