Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar sot të dyshuarin B.M., me dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Sipas njoftimit për media të prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se, gjatë ditës së sotme, përkatësisht më 28 mars 2020, rreth orës 13:00, në fshatin Verbovc, komuna e Kllokotit, “i dyshuari B.M., i nacionalitetit serb, për shkak të një mosmarrëveshjeje paraprake, ka tentuar që ta privonte nga jeta të dëmtuarin Z.J., po ashtu i nacionalitetit serb – zyrtar policor, jashtë detyrës zyrtare - në atë mënyrë që me armë zjarri ka shtënë dy herë në drejtim të tij, me ç’rast i njëjti ka marrë dy plagë, për të cilat është dërguar për ndihmë mjekësore në QKUK, në Prishtinë”.
Ndërkaq, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin e veprës penale të lartcekur dhe ndaj tij brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit, nga Gjykata kompetente në Gjilan.