Kronikë

Suspendohen komandanti i policisë në Zubin Potok, shefi i hetimeve e një polic “për keqpërdorim të detyrës”

Foto: Driton Paçarada / KD

Policia e Kosovës ka realizuar një inspektim në Stacionin policor në Mitrovicën Veriore, më konkretisht në Zubin Potok, ku thotë se kanë hasur parregullsi.

Sipas një raporti të PK-së, me këtë rast është iniciuar suspendimi në nivel lokal të një zyrtari policor, shefit të hetimeve dhe komandantit të stacionit policor në Zubin Potok.

“Në ‘Dhomën e dëshmive” të SP Zubin Potok, gjatë inspektimeve nga komisioni inspektues, në përbërje prej pesë anëtarëve të autorizuar nga DRP Mitrovicë Veri, janë hasur parregullsi. Komisioni inspektues, bazuar në të gjeturat e deritanishme, ka vlerësuar se ka elemente të mundshme të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe menjëherë përmes mekanizmave zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Ndaj zyrtarit policor përgjegjës për ‘Dhomën e dëshmive’, shefit të hetimeve dhe komandantit të SP Zubin Potok, sipas procedurave të parapara disiplinore është iniciuar suspendimi nga niveli lokal, përderisa IPK dhe Prokuroria Themelore janë njoftuar për veprimet e ndërmarra”, thuhet në raportin e PK-së, transmeton Koha.net.

Sipas raportit të PK-së, sot njësitet policore në bashkëpunim me IPK-në, me autorizim të prokurorit kompetent, kanë realizuar një kontroll në shtëpinë e zyrtarit policor përgjegjës për ‘Dhomën e dëshmive’.

“Inspektimi i detajuara i ‘Dhomës së dëshmive’ do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, deri në nxjerrjen e konstatimeve të sakta dhe të plota lidhur me rastin”, thuhet tutje në raport.