Kronikë

Policia në Pejë është në pritje të raportit mjeko-ligjor për konfirmimin e identitetit të viktimës

Policia në Pejë ka bërë të ditur se është në pritje të raportit të institutit mjeko-ligjor për konfirmimin e identitetit të viktimës.

“Përderisa instituti mjeko-ligjor nuk jep raport të veçantë, ne nuk mund ta japim emrin e viktimës. Posa ta marrim raportin, atë do ta bëjmë të ditur", ka thënë zëdhënësi i policisë në Pejë, Xhevat Ibraj.

Ibraj, gjatë një konference shtypi se Sektori Rajonal i Hetimeve, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, si dhe nivelin qendror në Prishtinë, po bëjnë përpjekje intensive për t’i sqaruar rrethanat e këtij rasti, si dhe për t’i identifikuar të dyshimtit e mundshëm të kësaj vepre penale, transmeton Koha.net.

Ibraj në të njëjtën kohë ka dhënë detaje për vrasjen e mesatës:

“Sot rreth orës 01.27, Policia e Kosovës është informuar për një rast zjarri në një veturë në fshatin Zahaq të Pejës. Në vendin e ngjarjes është vërejtur një veturë e përfshirë tërësisht nga zjarri”, ka thënë Ibraj, duke shtuar se brenda është gjetur një trup i pajetë i karbonizuar.