Aktakuzë ndaj tre personave për “Marrje ryshfeti” dhe “Frikësim gjatë procedurës penale”

Aktakuzë ndaj tre personave për “Marrje ryshfeti” dhe “Frikësim gjatë procedurës penale”

21 February 2020 16:31

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, G.G. dhe B.Th., për veprën penale “Marrje ryshfeti” dhe kundër të pandehurit M.K., për veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Sipas aktakuzës, të pandehurit G.G dhe B.Th., me datë 2 dhjetor të vitit 2019, rreth orës 15:25, në Pejë, si persona zyrtarë, teknik për kontrollin e humbjeve në kompaninë “KEDS”, dega në Pejë, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, duke mos vepruar sipas detyrave zyrtare, me qëllim të përfitimit të njëjtit në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar shumën prej dyqind (200) euro nga i dëmtuari, të pandehurit pasi i marrin të hollat ndalohen dhe arrestohen nga Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Tutje thuhet se i pandehuri M.K., me datë 3 dhjetor të vitit 2019, si avokat i të pandehurit B.Th., kishte kanosur dhe ofruar dhurata me qëllim që ta nxisë të dëmtuarin që i njëjti ta ndryshojë deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës dhe të deklarohet rrejshëm në Prokurori dhe Gjykatë, kinse i pandehuri B.TH nuk ka të bëjë me veprën penale “Marrje ryshfeti”.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat ju vihen në barrë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, prokurori i çështjes, krahas dënimit kryesor i ka propozuar Gjykatës që të pandehurve t’u shqiptohet dënimi plotësues.

“Për dy të pandehurit, G.G dhe B.TH., ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik, kurse për të pandehurin M.K., ndalimin e ushtrimit të profesionit”, thuhet në komunikatë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme