Policia Rajonale e Ferizajt për një vjet shqiptoi 51 mijë e 905 gjoba

Policia Rajonale e Ferizajt për një vjet shqiptoi 51 mijë e 905 gjoba

Agim Ademi Agim Ademi 24 January 2020 10:32

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka prezantuar raportin e punës, sipas të cilit gjatë 2019-s janë shqiptuar 51 mijë e 905 gjoba. Sipas Raportit ndërkohë kanë ndodhur 1355 aksidente në komunikacion apo 4.8 për qind më pak në krahasim me vitin paraprak. Po ashtu gjatë 2019-s janë regjistruar gjithsejtë 7 aksidente me fatalitet ose 22.2 për qind më pak në krahasim me vitin paraprak. Pastaj aksidente me lëndime 529, aksidente me dëme materiale 819 etj. Gjatë 2019-s janë regjistruar gjithsejtë 4 mijë e 226 raste, prej tyre 3282 raste të raportuara për vepra penale, pastaj 944 incidente për kundërvajtje. Po ashtu, sipas raportit të publikuar janë zbuluar gjithsejtë 3 mijë e 265 raste të ndryshme penale, ndërkaq të pa zbuluara mbeten një mijë e 164 raste. Gjatë 2019-se janë regjistruar 3 vrasje të rënda, 34 raste si lëndim i rënd trupor, 367 raste si lëndim i lehtë trupor, 739 raste si vjedhje, 255 si vjedhje e rëndë dhe 19 raste të grabitjeve.

Emin Beqiri, Drejtor i Policisë së Kosovës për Regjionin e Ferizajt, gjatë prezantimit të raportit vjetor, ka thënë se Policia e Kosovës, bazuar në kushtetutën e Kosovës dhe ligjin e Policisë, ka për obligim të realizoi objektivat permanente strategjike policore, që janë të njohura për çdo qytetar të Kosovës. Sipas tij, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, i ka kushtuar rëndësi të duhur zhvillimit dhe aftësimit të pjesëtarëve të saj në ngritjen e profesionalizmit dhe vlerave etike, duke organizuar trajnime të brendshme dhe të jashtme.

Ndërkaq Gazmend Hoxha Drejtor i Divizionit për Siguri Publike në Policinë e Kosovës, ka thënë se 2019-a ka qenë një vit i suksesshëm jo vetëm për Policinë e Kosovës në nivel qendror por edhe në drejtorinë rajonale në Ferizaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme