Kronikë

Arrestohen dy të dyshuar të cilët goditën një person në Istog me sëpatë, ia vodhën veturën dhe paratë

Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Me datë 29.12.2019 rreth në orën 11:33 në stacionin policor në Istog, policia përmes një njoftimi për media thotë se ka shkuar viktima dhe ka raportuar se dy persona të panjohur e kanë sulmuar.

Në raport, thuhet se e kanë goditur në kokë me mjet të fortë (sëpatë) duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor, dhe nën kërcënimin e sëpatës ia kanë marrë parat e gatshme nga xhepi, ku sipas PK-së, ishin 110 euro dhe 10 franga, si dhe nga viktima kanë kërkuar çelësat e veturës të cilën ia kanë marrë.

“Vetura ishte ‘VW Tiguan ‘ngjyrë e gjelbër me targa vendore”, thuhet në raport.

Sipas PK-së, viktimën, të dyshuarit e kanë lidhur me një litar, dhe poashtu nga shtëpia ia kanë marrë edhe një armë gjuetie të cilën e kishte me leje viktima dhe pastaj të dyshuarit me automjetin (e viktimës) janë larguar në drejtim të qendrës së Istogut në drejtim të panjohur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor.

“Vendit të ngjarjes menjëherë iu janë përgjigjur njësiti i hetimeve të stacionit policor Istog dhe Njësiti Hetimeve Rajonale. Lidhur me ketë është hapur rasti ‘Grabitje’ dhe është njoftuar Prokurori i shtetit. Pas një pune intensive hetuesit e stacionit policor Istog dhe Hetimeve Rajonale kanë arritur të identifikojnë dy të dyshuarit e veprës së grabitjes dhe të njëjtit janë shpallur në kërkim policor”, thuhet në raport.

Me këtë rast, dje më datë 30.12.2019 në orën 22:25 në rrugën "Hysni Dobruna" në Gjakovë, është parë duke lëvizur automjeti VW Tiguan ngjyrë e zeze me tabela regjistrimi që kërkohej, i cili automjet ishte lajmëruar me datë 29.12.2019 nga pronari se i ishte marrë me rastin e grabitjes.

“Në lidhje me këtë rast është angazhuar njësiti policor, e cila ka vërejtur automjetin e lartë cekur dhe i ka dhënë shenjë që të ndalet, mirëpo të dyshuarit të cilët ishin duke drejtuar këtë automjet nuk kanë përfillur urdhrat e personave zyrtarë, por me vrull të madh kanë vazhduar nga qendra e qytetit në drejtim të Prizrenit. Patrulla policore ka vazhduar në ndjekje të tyre me ç ‘rast edhe NJRSH-ja është angazhuar në asistencë të patrullës. Pas pak kohe në dalje të qytetit të Gjakovës personat nga shpejtësia e madhe që zhvillonin me automjetin e dyshuar, janë rrokullisur dhe kanë dale jashtë rrugës së asfaltuar”, thuhet në raport.

“Personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë sjellë në stacionin policor, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe shihen disa lëndime sipërfaqësore në fytyrë nga aksidenti. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë gjahu, një maskë dhe një thikë. Në lidhje me rastin janë njoftuar të gjitha njësitet relevante gjithashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Në lidhje me këta persona është informuar edhe Policia e regjionit të Pejës, të cilët i kanë marrë dy të dyshuarit në lidhje me rastin e grabitjes që ka ndodhur me datë 29.12.2019 në fshatin Cerrcë -Istog. Rasti do të procedohet në Prokurori”, përfundon raporti policor.