Katër persona dyshohen se kanë përdorur eksploziv plastik gjatë tentimit të tyre për vjedhjen e bankomatit të Bankës TEB në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, raporton Koha Ditore.
Sipas zyrtarëve të Policisë rajonale të Prizrenit rasti ka ndodhur rreth orës 3:45, me ç’rast aktivizimi i alarmit të bankës dhe reagimi i pjesëtarëve të Policisë ka bërë që të dyshuarit të dështojnë në përpjekjen e tyre dhe të largohen nga vendi i ngjarjes.
“Rreth orës 3:45 në rrugën ‘Brigada 123’ në Suharekë ka ndodhur një rast i tentim vjedhjes së bankomatit (ATM). Të dyshuarit me një lloj të eksplozivit plastik e kanë dëmtuar pjesën hyrëse, me qëllim për ta vjedhur bankomatin. Mirëpo nuk kanë arritur për shkak se është ndezur alarmi dhe Policia ka intervenuar shpejtë, dhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
Sipas tij, në bazë të hetimeve fillestare të Policisë dyshohet se në këtë rast kanë qenë të përfshirë katër persona të dyshimtë me një automjet.
“Jemi në ndjekje të tyre. Në bazë të hetimeve do të merren veprimet përkatëse lidhur me rastin”, ka deklaruar Osmanollaj.