Kronikë

Katër raste të dhunës në familje për 24 orë në Kosovë

Foto: Ilustrim

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Sipas raportit të Policisë, në të gjitha rastet viktima kanë qenë gratë të cilat në tri raste janë sulmuar nga burrat e tyre, transmeton Koha.net.

Në Prishtinë është arrestuar i dyshuari mashkull, i cili pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten, e cila si pasojë e sulmit ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Prizren viktima femër ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima sipas deklarimit kishte shkuar në familjen e saj te babai, por i dyshuari e kishte kanosur me sms përmes telefonit atë dhe familjarët e saj. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori.

Edhe në Dragash është arrestuar një person, pasi i njëjti pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq në Graçanicë, viktima femër ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale ishte sulmuar fizikisht nga babai i saj. Viktima ka refuzuar të pranojë tretman mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është informuar prokurori. Rasti vazhdon në procedurë të rregullt.