Aktakuzë ndaj zyrtares ligjore të MMPH-së, dëmtoi Komunën e Prizrenit për 70 mijë euro Foto: Koha

Aktakuzë ndaj zyrtares ligjore të MMPH-së, dëmtoi Komunën e Prizrenit për 70 mijë euro

09 December 2019 11:20

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se ka ngritur aktakuzë kundër H.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, e pandehura H.K., gjatë vitit 2018 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar “nuk i përmbush detyrat e saj zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëm Komunës së Prizrenit, në atë mënyrë që në cilësinë e zyrtares ligjore pran Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, me datë 29.03.2018 merr vendim me të cilin shfuqizon aktvendimin e datës 21.03.2018 të Drejtorisë për Inspekcion të Ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit”, transmeton Koha.net.

“E pandehura H.K., gjatë vendosjes në shkallë të dytë me ankesë të palës nga Drejtoria e Inspekcionit dhe Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk kërkon shkresat dhe dokumentacionin e vendosjes në shkallë të parë lidhur me mosdhënie të lejes për ndërtim qytetarit L.M., me ç’rast kishte për të ardhur në përfundim se në çështjen konkrete nuk ka pasur heshtje administrative rreth kërkesës për leje-ndërtim siç pretendon L.M., në padinë e kompensimit të dëmit lidhur me rrënimin e objektit pasi Komuna e Prizrenit -Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor me datë 30.08.2017 ka hedhur kërkesën për leje ndërtimore”, njofton Prokuroria.

Më tej Prokuroria thotë se e pandehura me marrjen e një vendimi në shkallë të dytë e aprovon ankesën e L.M., dhe e kthen çështjen në rishqyrtim duke u bazuar vetëm në shkresat e palës e cila ka parashtruar ankesë, dhe kështu i mundëson L.M., në kontestin civil të kërkojë kompensimin e dëmit në shumë prej 70.000 euro për rrënim të objektit duke dëmtuar për këtë shumë Komunën e Prizrenit.

“Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura H.K., ka përmbushur elementet e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ sipas KPRK-së”, ka theksuar Prokuroria.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që e pandehura të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme