Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj një personi për falsifikim të diplomave të shkollës

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e Paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditë, ndaj të pandehurit me iniciale M.B nga fshati Bakshi, Komuna e Obiliqit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale në bashkëkryerje, falsifikim i dokumentit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 24.10.2019, dhe do të zgjasë deri më datën 23.11.2019, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Tutje thuhet se që nga fillimi i vitit 2018, e deri më datën 09.10.2019, në Prizren, Prishtinë dhe Obiliq në bashkëkryerje me të pandehurin me iniciale A.R., përpilojnë dokumente të falsifikuara, me qëllim të shfrytëzimit të atyre dokumenteve origjinale, ashtu që duke qenë në bashkim të një grupi veprojnë në bashkëkryerje me qëllim të kryerjes së veprave penale për përfitim të dobisë pasurore, në atë mënyrë që persona të ndryshëm të cilët nuk kanë aplikuar fare për sigurimin e dokumentit në institucionet përkatëse, merren vesh fillimisht me të pandehurit me iniciale M.H. dhe D.G. të cilat kërkesa gojore këta të fundit i përcjellin tek i pandehuri me iniciale A.R., i cili më pas i përcjell tek i pandehuri me iniciale M.B. dhe ky i fundit i falsifikon dokumentet në fjalë duke i pajisur aplikuesit/qytetarët me diploma falëse të shkollave të mesme, në kundërvlerë të pagesave prej 1300 deri në 2000 euro për diplomë.

Siç janë rastet e lëshimit të diplomave në emrin e A.G., kinse i njëjti ka kryer shkollën e mesme të gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë i cili dokument mbanë të falsifikuar numrin e protokollit 30 dhe datën 30.06.2015 si dhe diploma e lëshuar me emrin e personit me iniciale T.A. ,kinse i njëjti ka kryer shkollën e mesme teknike “Hasan Tahsini” në Obiliq, i cili dokument mbanë të falsifikuar numrin e protokollit 1620 dhe datën 20.06.2001 e gjithë kjo në kundërvlerë të pagesës së shumës 1.300 euro.

Të njëjtat dokumente në mënyrë të organizuar të grupit ia dorëzon fillimisht të pandehurit me iniciale A. Ky i fundit i dorëzon të pandehurve me iniciale M dhe D., e të cilat më pas nga këta të pandehur iu dorëzohen personave të cilët kanë qenë të interesuar për sigurimin e dokumentit në fjalë e të cilët në kundërvlerë paguajnë shumat e parave.