Kronikë

Policia me dron gjen plantacion me 250 bimë kanabis në Koshare

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare – Perëndim, përmes “Kontrollit nga ajri” me dron ka gjetur të mërkurën në malet e Koshares një plantacion me rreth 250 bimë të mbjella që dyshohet të jenë të llojit kanabis sativa.

Sipas njoftimit nga policia, vëzhgimi është bërë me dron në një sipërfaqe të maleve rreth 5 kilometra, me lartësi 500 metra.

“Me datë 16.10.2019, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare – Perëndim (DRPK) ka implementuar planin operativ ‘Kontroll nga ajri’, ku është vëzhguar dhe kontrolluar me dron një sipërfaqe e maleve të Koshares (rreth 5 km) në lartësi 500 metra dhe gjatë këtij operacioni ka rezultuar me identifikimin apo gjetjen e një plantacioni me rreth 250 bimë të mbjellura që dyshohen si bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa, gjatësia e të cilave shkon nga 1 deri në 3 metra”, thuhet në njoftim.

Për rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent dhe me autorizim të tij bimët narkotike janë grumbulluar dhe janë asgjësuar, përderisa njësia e Krim-Teknikës së Policisë ka marrë mostrat, bën të ditur PK-ja.

{gallery}