Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi.
Mirëpo, Gjykata thotë se i njëjti është shtetas i Izraelit, ndërsa nuk specifikon nëse i njëjti ka nënshtetësi edhe ruse.
“Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit A.S i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe me qëllim që të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, pasi që i pandehuri A.S është shtetas i Izraelit”, ka thënë Themelorja e Prishtinës.
Gjykata thotë se duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, peshën e veprës penale, karakteristikat personale të të pandehurit si dhe sjelljet e tij të mëparshme, ashtu që nëse i pandehuri qëndron në liri do të mundë të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale.
“Këto rrethana paraqesin shkaqe ligjore të parapara nga neni 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2.3. të KPPK-së, për caktimin e paraburgimit”, thekson më tej Gjykata.
Tutje, Gjykata Themelore e Prishtinës thotë se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.S që nga data 13.10.2019 e deri më datë 14.10.2019, përmes softverit kompjuterik “E-Mule” ka shpërndarë pornografi për fëmijë, ashtu që i njëjti gjatë kësaj kohe ka shpërndarë 19 video me përmbajtje pornografike për fëmijë dhe disa video të tjera, të cilat i janë zënë në flagrancë nga policia.
Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.