1 perditesime
Kronikë

Curri la 50 mijë euro dorëzani për t’u liruar nga paraburgimi

16:31

Curri la 50 mijë euro dorëzani për t’u liruar nga paraburgimi

Nga ana tjetër, përmes një njoftimi për media, Gjykata Themelore në Prishtinë thotë se ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 11.10.2019 për ndryshimin e masës se paraburgimit me ndërprerjen e paraburgimit dhe zëvendësimin me masën e dorëzanisë për të pandehurin I.O.

“Lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjyqtarja e procedurës paraprake sot me datë 11.10.2019 ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të pandehurit I.O t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me masën e dorëzanisë në vlerë prej 50 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas njoftimit, Gjykata ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore për zëvendësimin e masës së paraburgimit si masë më e rëndë, me masën e dorëzanisë si masë më e butë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë.

15:57

“Curri” lirohet nga paraburgimi

Ismet Osmani, i njohur si Curri, është liruar nga paraburgimi.

Lajmin për KTV-në e ka konfirmuar avokati i tij, Alban Arifi, i cili ka bërë të ditur se ndaj klientit të tij, nuk është caktuar ndonjë masë tjetër sigurie.

Biznesmeni Curri, ishte arrestuar 5 muaj më parë në një aksion të gjerë të Policisë së Kosovës, bashkë me disa persona të tjerë, të dyshuar për veprat penale të fajdes, mashtrimit dhe detyrimit.

Lidhur me këtë, KTV-ja ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, por e njëjta ende nuk ka kthyer përgjigje.