Kronikë

Një muaj paraburgim për sulm ndaj një polici

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, ndaj të pandehurit me iniciale V.S. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 07.10.2019, dhe do të zgjasë deri më datën 07.11.2019.

Sepse me datën 07.10.2019, rreth orës 14:45 minuta në Prizren, saktësisht në parkingun në afërsi të zjarrfikësve në Prizren, sulmon personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, në atë mënyrë që derisa zyrtari policor kishte parkuar automjetin e tij, i pandehuri fillon ta ofendoj me fjalë të ndryshme, dhe në momentin kur zyrtari policor, i drejtohet me fjalë “eja me mua në stacionon policor”, i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarin me iniciale S.J., zyrtarin policor, duke e rrokë për jakne (uniform policore) ja nxjerr kravatën, ja hedhë në tokë, aty kanë ndërhyrë dy kolegët e të dëmtuarit dhe e kanë parandaluar sulmin e mëtejmë.