Kronikë

Një burrë dënohet me një vit burgim për sulm seksual

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit V.K për veprën penale “sulm seksual”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“I akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti, në dënimin e shqiptuar i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 02.08.2019 deri me 10.10.2019”, thuhet në komunikatë.

Të akuzuarit V.K me aktvendim të veçantë i është ndërprerë paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore – juridike.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.