Kronikë

Në Pejë ngrihen 34 aktakuza për prerje të pyjeve

Koordinatori i veprave penale që ndërlidhen me pyjet dhe ambientin në Prokurorinë Themelore të Pejës, prokurori i shtetit, Ersan Qavolli ka mbajtur takim me zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, nën-kolonelin Veton Elshanin, komandantët e stacioneve policore, shefat e hetimeve dhe Drejtorin dhe stafin përcjellës të Drejtorisë së parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” .

Sipas njoftimit për media, gjatë takimit është bashkëbiseduar për koordinimin e mëtutjeshëm për parandalimin e prerjeve ilegale të pyllit në zonën e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, dhe njëkohësisht për marrjen e përgjegjësive për identifikimin dhe arrestimin e atyre që bien ndesh me dispozitat e parapara ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera në fuqi.

Gjithashtu, ndërlidhur me këto vepra penale, Prokuroria Themelore e Pejës gjatë periudhës kohore maj-gusht, ka ngritur gjithsej 34 aktakuza, ndaj 37 personave, për veprën penale “Vjedhje pyllit”. Po ashtu ,gjatë kësaj periudhe kohore, kjo prokurori ka bërë kërkesë për sekuestrimin e 123.36m³ masë drusore, dhe njëkohësisht sekuestrimin e 63 mjeteve (kamion, rimorkio, traktor, dhe pajisje tjera) të cilat dyshohen se janë përdorur për kryerjen e veprave penale.

Gjatë këtij muajit shtator, janë ndaluar me aktvendim të prokurorit të shtetit edhe katër pylltar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” dhe një një person për vepër penale” Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.